
Kryeministri Sali Berisha u kërkoi strukturave të Partisë Demokratike mobilizim të plotë kur kanë mbetur më pak se 4 muaj nga dita e zgjedhjeve parlamentare.
Duke identifikuar Partinë Demokratike si forcën kryesore politike të atij që e quajti transformim epokal të vendit, zoti Berisha u kërkoi drejtuesve të fushatës në 12 qarqet e vendit të hyjnë në dialog pa asnjë paragjykim me cdo qytetar për të dëgjuar dhe zgjidhur problemet e tyre.
“Kërkesa ime është të dëgjojmë sa më shumë zërat e qytetarëve. Nuk mund të jenë kurrë sukseset ato që na bëjnë ne të injorojmë edhe zërin më të mekur. Për çfarë i kemi në sukseset? Ne sukseset i kemi vetëm për t’i bindur se ne mbajmë premtimet tona”, tha Berisha.
Kryeministri cilëson si suksese madhore të vendit anëtarësimin e vendit në NATO, lëvizjen e lirë pa viza, por mbi të gjitha ai thotë se qytetarët duhet të binden se suksesi më i madh për cdo shqiptar është mbrojtja nga kriza e rëndë dhe e tejzgjatur e Eurozonës nëpërmjet reformave të vështira të ndërmarra nga qeveria e tij.
“Mendojmë dhe besojmë se hipoteka jonë është e tillë që qytetarët i bëjnë të mendojnë se këta janë seriozë dhe alternativa tyre do t’i japë zgjidhje problemeve. Jo se vendi nuk ka probleme. Vendi ka probleme të padiskutueshme. Aty ku ka një papunësi, aty është një lëndim dhe ne jo vetëm e dëgjojmë, por do të bëjmë gjithcka për ta zgjidhur”, theksoi kryeministri.
Duke cituar Komisionin Europian që vlerëson se papunësia në Shqipëri u ul gjatë këtyre viteve të krizës, kryeministri Berisha kritikoi kreun e opozitës Edi Rama që jo vetëm mohon cdo arritje të vendit, por sipas tij edhe përpiqet të mashtrojë shqiptarët për situatën ekonomike të vendit, që vazhdon të ketë rritje ekonomike pozitive edhe pse dy partnerët kryesorë, Italia dhe Greqia janë në krizë të thellë.
“Kur zotëria bërtet se kryeministri po e krahason vendin me Gjermaninë, bëhet qesharak. Rritja ekonomike është rritje ekonomike kudo që të jetë ajo. Natyrisht 0.5 përqind apo 1 përqind, në vlerë absolute është qindra herë më shumë se 10 përqind e Shqipërisë, por vlerësimi është përqindja me GDP. Secili matet me kutin e vet”, tha Berisha.
Pjesë e fushatës elektorale, demokratët do të bëjnë edhe referendumin për tre ligjet e integrimit, për të cilin kryeministri paralajmëroi se do të zhvillohet në vjeshtë. Sipas kreut të demokratëve, për bllokimin e integrimit të vendit, në zgjedhjet e qershorit zoti Rama do të marrë përgjigje nga shqiptarët, të cilët, sic tha ai, do të vendosin për disfatën e radhës të kreut të opozitës.
“Nuk është faji im që Edi Rama di vetëm të humbasë, se unë nuk e mësoj dot kundërshtarin të fitojë”, tha kryeministri.
Top Channel