Për të trajtuar çështjen e vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamaj, në studion e lajmeve të Top Channel ka qenë i ftuar ish-zëvendësministri i Brendshëm Ilir Çano, i cili u është përgjigjur pyetjeve të gazetarit Ilir Paço.

Paço: Ngjarja e mbrëmshme ishte e fundit e një serie të gjatë vrasjesh dhe krimesh të tjera ordinere që prej muajsh po krijojnë një situatë pasigurie tek qytetarët. Ju keni qenë drejtues i strukturave të rendit dhe nga eksperienca juaj, si shpjegohet kjo situatë? Çfarë po ndodh në vend me këtë nivel kaq të lartë të kriminalitetit?

Çano: “Është e vërtetë që kohët e fundit ka rritje të veprave penale. Ka raste të krimit ordiner, që për mendimin tim ka një farë kurajoje dhe ka krijuar pasiguri tek qytetarët. Po ndodhin vrasje, grabitje dhe po arrihet tek përdorimi i dhunës tek funksionarët e policisë”.

Paço: Tre funksionarë policie të vrarë në tetë muaj. Vrasja e Dritan Lamajt mund të quhet ndoshta më e rënda për shkak të mënyrës se si ndodhi dhe të gradës së lartë që ai mbante. Nga buron guximi i krimit për të goditur edhe funksionarë të shtetit, për më tepër me atentate të tipit mafioz?

Çano: “Sot janë tre dëshmorë të atdheut të vrarë. Kjo tregon se elementë të inkriminuar kanë shkaktuar vepra penale dhe kanë shkaktuar frikë tek qytetarët duke goditur funksionarët e policisë. Kjo është një situatë e veçantë që varet nga strukturat e MPB dhe policisë. Kjo situatë kërkon një riorganizim të këtyre strukturave që të parandalohet krimi”.

Paço: Si e shihni faktin që krimi godet policinë, për shkak të vetë policisë apo për shkak të politikës?

Çano: “Për këtë ngjarje kanë përgjegjësi si shteti, MPB dhe policia. Shteti duhet t’i mbështesë më shumë këto struktura, duhet të mbështesë luftën kundër krimit, duhet t’i mbështesë përmes rritjes së pagave dhe të fokusohet tek lufta ndaj krimit të organizuar. Ndërsa policia duhet ta shtrijë aktivitetin e saj në komunitet, të njohë elementët e inkriminuar dhe të bëjë të mundur parandalimin e krimeve. Nëse këta elementë ngrenë dorë ndaj policisë, atëherë lufta ndaj krimit duhet të jetë më frontale”.

Paço: Mendoni se do të arrihet në zbardhjen e kësaj ngjarjeje? Se kemi edhe shembuj të tjerë, siç është rasti i vrasjes makabre të një gjyqtari në Vlorë, që ende nuk është zbardhur.

Çano: “Njerëzit e specializuar, sidomos ata që punojnë në sektorin operativ, duhet të punojnë për të ndjekur elementët e inkriminuar. Nga vlerësimi i këtyre ngjarjeve, pezullimi i tyre dhe mos kryerja e detyrave bën që çështja të harrohet. Kjo është një e metë serioze, prandaj kërkoj që ish-kolegët e mi të jenë më këmbëngulës në detyrën e tyre për të goditur ata elementë që vënë dorë ndaj policisë”.

Top Channel