Siri, Kerry kërkon bisedime

25/02/2013 19:40

Sekretari i ri amerikan i Shtetit, John Kerry, i kërkoi opozitës siriane që të mbajë një takim ndërkombëtar në Romë këtë të enjte, në vizitën e tij të parë jashtë shtetit në funksionin e tij të ri.

Duke folur nga Londra, Kerry tha se e kupton që sirianët duan një samit për të bashkërenduar qëndrimet e tyre, ndërsa premtoi se samiti nuk do të jetë thjesht “sa për të qenë”, por do të ketë rezultate konkrete.

Për Sekretarin e Shtetit, zgjidhja e luftës civile në Siri duhet të jetë politike.

Pas ftesës për këtë samit, Kerry realizoi një lidhje telefonike me presidentin e Këshillit Opozitar Sirian, Moaz al-Khatib, të cilin e inkurajoi që të marrë pjesë në këto bisedime.

Megjithatë, detaje specifike të këtij komunikimi nuk u bënë të ditura për mediat.

Në vizitën në Londër, Kerry u takua me Kryeministrin e Britanisë, David Cameron dhe Ministrin e Jashtëm, William Hague, me të cilët rikonfirmoi edhe një herë statusin e “veçantë” të miqësisë që gëzojnë të dy vendet me njëra-tjetrën.

Megjithatë, mbi çështjen e ishujve Falklands, Kerry nënkuptoi se SHBA nuk do të përfshihet në konfliktin e Britanisë me Argjentinën.

Top Channel