Rikthehet tensioni në territoret palestineze

25/02/2013 15:50

Funerali i një palestinezi, i cili ndërroi jetë ndërsa mbahej i burgosur në një burg izraelit ditën e shtunë riktheu tensionet në Rripin e Gazës.

Në funeralin e nisur mëngjesin e së hënës, me dhjetëra mijëra palestinezë protestuan dhe hodhën sllogane anti-izraelite në qytete të ndryshme të Palestinës.

Manifestimi u karakterizua nga përleshje me forcat izrealite në disa vatra të ndryshme protestash në Gazë dhe rrethina.

Sipas palestinezëve, 30-vjeçari Arafat Jaradat ndërroi jetë nga tortura të cilës iu nënshtrua gjatë marrjes në pyetje. Autoritetet izraelite thanë se rezultatet e autopsisë nuk ishin përfundimtare dhe se hetimet për vdekjen e tij vazhdojnë.

Sipas Agjensisë për Sigurinë e Brendshme të Izraelit, “Shin Bet”, Jaradat, nga një fshat palestinez pranë Hebronit, u arrestua një javë më parë për shkak se goditi me gur një shtetas izraelit.

Gjashtë ditë më parë, 30-vjeçari baba i dy fëmijëve ndërroi jetë në një burg izraelit, zyrtarisht për shkak të një “infarkti”.

Vdekja e tij përbën një kthesë drastike për keq në raportet delikate izraelito-palestineze, në një kohë kur prej disa javësh zhvillohen manifestime popullore, për të kërkuar lirimin e disa palestinezëve që mbahen në burg pa mandat arrestime apo akuza zyrtare ndaj tyre.

Të paktën katër të burgosur janë futur prej javësh në një grevë urie dhe rrezikojnë gjithashtu jetën, brenda qelive të tyre në burg.

Top Channel