Lazio, fitore për vendin e 3-të, ndalet Napoli

25/02/2013 00:00

Lazio rigjen fitoren në kampionat, pas më shumë se 1 muaji, duke u ngjitur sërish në zonën “Champions”, me arritjen e vendit të tretë, pas fitores 2-0 ndaj Pescara-s.

Skuadra e Petkovic zhbllokon rezultatin në minutën e 29-të, pas një gjuajtjeje të Radu, e cila ndalet në këndin më të largët të portierit kundërshtar. Edhe goli i dytë është pothuajse identik, një goditje e fuqishme e Lulic nga rreth 20 metra, në minutën e 35-të.

Pescara u duk tepër sterile në përpjekjet e saj, teksa bardhekaltrit i rimarrin vendin e tretë Milanit, përpara ndeshjes direkte të ditës së shtunë.

Napoli është ndalur në barazim 0-0 në transfertë ndaj Udinezes duke humbur terren në luftën për titull me Juventusin.

Në ndeshjen e luajtur në Friuli, miqtë pavarësisht përpjekjeve për të marrë 3-pikëshin nuk mundën t’ia arrijnë qëllimit. Paraqitja e dobët e skuadrës që mban vendin e dytë në Serinë A, 6 pikë më pak se sa Juventusi kryesues, është vazhdimësi e periudhës jo fort të mirë që po kalojnë napolitanët.

Të enjten ata u eleminuan nga Liga e Kampioneve pas humbjes 2-0 në transfertë ndaj Plzenit, ndërkohë që edhe ndeshjen e parë, atë të luajtur në Itali e kishin humbur me rezultatin 0-3.

Ndeshja Lacio-Udineze, që po luhet aktualisht mbyll javën e 26-të të Serisë A. Në renditjen aktuale, Juventusi kryeson me 58 pikë, ndjek Napoli me 52, Milan 45 e më pas Inter e Lacio (-1 ndeshje) me nga 44 pikë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB