Zgjidhja për Kosovën do të ofronte paqe në rajon, por edhe qëndrimin e serbëve në Kosovë. Kështu mendon kryeministri serb, Ivica Daçiç.

Por, një pjesë e opozitës vlerëson se Serbia është duke e dorëzuar Kosovën në këmbim të datës së bisedimeve për integrim në Bashkimin Evropian.

Në një njoftim për mediat, qeveria e Serbisë ka bërë të ditur se kryeministri Daçiç ka takuar ambasadorët e Kuintit dhe atë të BE-së.

Me përfaqësuesit e SHBA-së, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë, Daçiç ka folur për bisedimet me Kosovën duke thënë se dialogu ka për qëllim sigurinë dhe qëndrimin e serbëve përmes zgjidhjeve afatgjata.

Por, nga ana tjetër, nënkryetari i Partisë Demokratike të Serbisë, Sllobodan Samarxhiç ka deklaruar se Serbia ka vendosur të heqë institucionet e Serbisë në Kosovë dhe jo për shkak të Prishtinës apo Burkselit, por për të marrë datën e bisedimeve.

Ai ka thënë se për problemin e Kosovës më nuk diskutohet në institucione. Qeveria e Serbisë, ka thënë Samarxhiç, në mënyrë të shpejtë është duke iu përgjigjur çdo kërkese dhe se në mënyrë të heshtur serbët janë duke u kthyer në shtetas të shtetit të Kosovës.

Top Channel