Komisioni për Rishikimin e Teksteve të Historisë, i formuar nga Ministria Kosovare e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ka përpiluar një raport, i cili para finalizimit do të shikohet dhe nga ekspertë nga Turqia.

Në muajin mars, një grup ekspertësh nga shteti turk do të vijnë në Kosovë për të konstatuar nëse janë hequr termat në tekstet e historisë që qeveria e tyre kishte kërkuar të ndryshohen me arsyetimin se ofendohej e kaluara e këtij shteti, nëpërmjet termave diskriminues për  Perandorinë Osmane.

Lajmi u raportua ditën e dielë në portalin “Telegrafi”.

Përfaqësues të Ministrisë Kosovare të Arsimit kanë konfirmuar se ky bashkëpunim bëhet në frymën e zhvillimeve akademike të të gjitha vendeve europiane që të mos ketë gjuhë të urrejtjes në tekste, por që ajo të jetë miqësore.

Sipas tyre, ekspertët nga Turqia do të jenë të kënaqur me propozimet që kanë bërë ekspertët e MASHT. Në kuadër të vizitës së ekspertëve turq do të organizohen edhe debate lidhur me rishikimin e historisë në tekset shkollore, për të zbatuar rekomandimet që do të dalin nga ekspertët.

Top Channel