Obama kërkon martesat mes cifteve gay

23/02/2013 00:00

Presidenti amerikan, Barack Obama del hapur në mbrojtje të të drejtave të komunitetit homoseksual në Shtetet e Bashkuara.

Administrata Obama i kërkoi formalisht Gjykatës Supreme amerikane shfuqizimin e një ligji federal të viteve ’90 që e përshkruan martesën si “bashkimi i një burri dhe një gruaje.

“Ky ligj shkel të drejtën dhe garancinë themelore për barazi përpara ligjit sepse ndalon mijëra cifte homoseksualësh, ligjërisht të martuar në shtetet ku kanë lindur, që të gëzojnë të njëjtat të drejta dhe avantazhe federale të cifteve heteroseksuale”, argumenton Shtëpia e Bardhë në kërkesën e saj.

Martesat e të njëjtit seks lejohen në nëntë nga 50 shtetet që përbëjnë federatën amerikane, mes tyre edhe shteti i Uashingtonit.

Vendimi i administratës Obama për të mbajtur një qendrim në debatin për martesat mes homoseksualëve nuk është një surprizë. Vetë presidenti Obama ka dalë disa herë para dhe pas fushatës elektorale ku u rizgjodh në mbështetje të kërkesës së cifteve homoseksuale në kërkesën e tyre për një ligj federal që t’u mundësojë martesën.

Top Channel