Mou larg Realit: Jam tip aventurier

23/02/2013 00:00

Divorci mes Realit të Madridit dhe Jose Mourinho-s sa ditë kalojnë aq më shumë i mundshëm bëhet. Këtë herë ka qenë një deklaratë e teknikut portugez ajo që ka ngacmuar mediat sportive.

Mou ishte në Setubal për të marrë pjesë në një ekspozitë fotografike kushtuar atij me rastin e 50-vjetorit të lindjes. I pyetur mbi të ardhmen, “Speciali” iu përgjigj shkurtimisht: “Ju e dini që unë jam tip aventurier”.

Kaq mjaftoi dhe pyetjet mbi të vërshuan, kryesisht interesimi ishte për destinacionin e ardhshëm, që Mourinho sërish e mbajti “sekret”, por gjithashtu lëshoi edhe koordinatat e para se mund të jetë mes Anglisë dhe Italisë.

“Pasi ke drejtuar në Portugali, Angli, Itali dhe Spanjë është e vështirë të zgjedhësh një destinacion. Ku i dihet, ndoshta do të jetë një vend ku kam qenë më parë”, tha Mou.

Fjalia e dytë e përgjigjes së tij, duke përjashtuar Portugalinë, lë të kuptohet se ardhmja e Mourinho-s do të përcaktohet nga ofertat që mbërrijnë nga Italia dhe Anglia. Në Itali rikthimi tek Interi është i mirëpritur, ndërsa në Angli, Abramovic ka dhënë shenja pendese për atë largim të teknikut, megjithatë në garë mbetet edhe Manchester United, gjithmonë nëse largohet Sir Alex Ferguson.

Mou rishprehu edhe njëherë tjetër dëshirën për të drejtuar Portugalinë në të ardhmen. Do të më pëlqente,tha ai, megjithëse e quajti një mision të vështirë për shkak se lojtarët e kombëtares luajnë në kampionate të ndryshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA