Kryetari i Këshillit Parlamentar të Gjermanisë, Gunter Kirhbaum ka deklaruar se Bashkimi Evropian nuk do të lejojë që në radhët e tij të krijohet një Qipro e dytë.

Në një intervistë për gazetën serbe “Blic”, zyrtari gjerman ka nënvizuar se Serbia duhet ta zgjidhë kontestin e saj me Kosovën para se të anëtarësohet në BE.

Ai është shprehur i vetëdijshëm se pajtimi me fqinjët është një proçes që kërkon kohë dhe has në vështirësi, por ka nënvizuar se marrja e datës së negociatave me Serbinë do të varet pikërisht nga raportet me Kosovën.

“Ndaj ne do të mbështetemi në velrësimin e Komisionit Evropian, që më 16 prill do të dalë me raportin nëse ka përmirësim të dukshëm dhe të qëndrueshëm të raporteve mes Serbisë dhe Kosovës”, ka thënë Kirhbaum.

Në fillim të javës ishte kryetarja e Komisionit për çështjet evropiane në Parlamentin francez, Danielle Auroi, që deklaroi se njohja e Kosovës duhet të jetë kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE.

“Ky nuk është një kusht i shkruar, por nuk do të ketë hyrje të Serbisë dhe as të Kosovës në BE për aq kohë sa dy vendet nuk do të pajtohen plotësisht dhe nuk do të pranojnë njëra-tjetrën”, deklaroi Auroi për gazetën serbe “Veçernje Novosti”.

E pyetur se si mund të vendoset një kusht i tillë kur kërkesa për njohje nuk i është paraqitur Serbisë nga Brukseli, Auroi u përgjigj duke thënë se:

“Nuk shoh mënyrë tjetër se si BE mund të pranojë në radhët e tij një shtet që nuk njeh shtetin tjetër. Kjo për ne do të jetë kushti thelbësor”.

Top Channel