Ukrainë, Tymoshenko rikthehet në burg

22/02/2013 19:30

Ish-kryeministrja e Ukrainës, Yulia Tymoshenko, është rikuperuar mjaftueshëm për t’u rikthyer në qelinë e saj në burg.

Lajmin u komunikua nëpërmjet një deklarate nga Ministria Ukrainase e Shëndetësisë.

Tymoshenko po kurohej prej nëntë muajsh në një qendër shëndetësore për të burgosurit, e mbajtur në kushte izolimi, pasi vuan nga probleme serioze në shpinë.

51-vjeçarja, kryeministrja e parë femër në historinë e Ukrainës, u burgos në vitin 2011 për tejkalim të kompetencave ligjore të detyrës së saj dhe abuzim me pushtetin, për shkak të parregullsive në dukje në lidhjen e një kontrati gazi me Rusinë në vitin 2009.

Dënimi i Tymoshenkos përfundon në vitin 2018 dhe Kievi zyrtar nuk është stepur as përballë presionit të Brukselit e Uashingtonit, që e kanë konsideruar këtë burgim si të motivuar politikisht dhe dëmtuar për proceset integruese të vendit.

Aktualisht, Tymoshenko është duke u hetuar nga prokuroria edhe për evazion fiskal dhe urdhërimin e një vrasjeje.

Top Channel