
Largimi i Mourinho-s nga Madridi përflitet se është i sigurtë në fund të këtij sezoni, të paktën sipas mediave. Dhe po këto të fundit janë vënë në kërkim të trajnerit ideal për zëvendësimin e tij.
Së fundmi përflitet shumë për Ancelotti-n, për një rrokadë e mundshme ku do të shihnim trajnerin portugez në krye të “sheikëve” të PSG-së dhe trajnerin italian në timonin e Realit të Madridit. Por cfarë mendojnë vetë tifozët e Realit?
Kësaj pyetje është munduar t’i japë përgjigjë gazeta spanjolle “As” nëpërmjet një sondazhi. “As” shtronte pyetjen: Kush mendoni se duhet të jetë trajneri i Realit pas Mou? Dhe në listën me tre emra gjendej edhe ai i Michael Laudrup, ish-futbollisti i famshëm danez i viteve ’90, aktualisht trajner i Swansea City në Angli.
Rezultati ishte surprizë; 73 përqind e të anketuarve nga 40 mijë persona që morën pjesë, zgjodhën Laudrup, 18 përqind zgjodhën Benitez dhe 9 përqind Ancelotti-n.
Megjithatë ky është thjesht një sondazh, por që shpejt mund t’i kushtojë vëmendje presidenti Perez duke hequr sytë nga trajnerët me emër dhe të kushtueshëm e t’i besojë skuadrën një të riu si Laudrup. I ri në moshë (krahasuar me emrat e tjerë pretendentë për stolin e Realit) por jo në zanat. Danezi ka drejtuar më parë Brondby, Getafen, Spartakun e Moskës, Majorkën dhe tani Swansea City, ndërsa nuk i mungon njohja me ambientin pasi ka luajtur si futbollist nga 1994-1996 në Bernabeu.
Top Channel