Kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili para disa ditësh u zgjodh anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, nuk e pranon ta marrë këtë post.

Këtë e ka bërë të ditur vete Krasniqi, në një letër dërguar mediave, të premten pasdite. Sipas tij, zgjedhja ka ndodhur pa vullnetin dhe praninë e tij, prandaj nuk dëshiron të jetë pjesë e strukturave që kanë dal nga zgjedhjet, që ai i quan, antistatutore.

“Jam i vetëdijshëm, ndërkaq, se partia të cilën e kemi ndërtuar së bashku me shumë mund e angazhim, mbase edhe më shumë se kaq, është uzurpuar padrejtësisht dhe për interesa krejt personale e klanore dhe jashtë çdo procedure demokratike. Edhe kryesia e emëruar e PDK-së nuk është legjitime, rrjedhimisht as anëtarët e saj të emëruar në një takim formal ku u ftuan anëtarët e një Këshilli Drejtues, po ashtu të dalë nga një votim i dyshimtë, numëruar e radhitur sipas preferencave për tre ditë, pas një votimi të mbajtur nën siglën e Konventës së PDK-së … disa ditë para mbajtjes formale të saj”, shkruhej mes të tjerash në letrën e Krasniqit.

Më tej, Krasniqi në letrën e tij shpjegon arsyet, se përse sipas tij, nuk mori pjesë në procesin zgjedhor: “Nga e gjithë kjo më rezulton se në Partinë Demokratike nuk ka pasur zgjedhje, por emërime të parapërgatitura për të eliminuar njerëzit më të votuar nga qytetarët  e ngritur njerëz të verifikuar vetëm si servilë. Rrjedhimisht del se PDK-ja është uzurpuar për të imponuar pushtet mbi njerëzit, pse jo edhe mbi pasurinë e kombit. Nëse nuk qe e mundur t’i largojmë uzurpatorët me një proces të rregullt zgjedhor, unë, të paktën nuk pranova të jem pjesë e tyre”.

Krasniqi, në fund të letrës së tij ka cituar pjesë nga poema “Komedia Hyjnore” e Dante Aligerit, per te treguar mbase rrugën e tij në të ardhmen.

“Kur i kërkuan Dantes të kthehej në vendlindje pas dëbimit, ai tha: “Nëse nuk ka rrugë tjetër të kthimit në Firencë, përveç rrugës së nënshtrimit e përuljes, asaj rruge nuk do të kthehem kurrë”. Edhe në rastin tonë, rruga e vetme për të ecur përpara me dinjitet, është të ecurit vertikalisht për një qëllim të lartë politik, njerëzor e demokratik”.

Se cili do të jetë hapi i radhës i z. Krasniqi, ai ashtu si në letrën e kaluar thotë se do ta bëjë publike në kohën e duhur.

Top Channel