Italia përgatitet për zgjedhjet e përgjithshme

22/02/2013 15:20

Fushata zgjedhore në Itali hyri në ditën e saj të fundit, përpara votimeve të përgjithshme të së dielës.

Kandidatët e blloqeve të ndryshme zhvillojnë të premten manifestimet e tyre përmbyllëse, në përpjekje për të influencuar opinionin publik, i cili në bazë të sondazheve nuk ka ndonjë preferencë të qartë.

Aktualisht, kandidati i majtë Pier Luigi Bersani udhëheq sondazhet. Megjithatë, koalicionet e udhëhequra nga kryeministri në fuqi, Mario Monti dhe ish-kryeministri Silvio Berlusconi, duket se kanë ende shanse të mira për të fituar.

Risi në këto zgjedhje pritet të jetë vota në favor të Beppe Grillos, një komedian popullor, i cili ka krijuar një grupim, që kundërshton politikën aktuale në Itali.

Qeveria që do të dalë nga këto votime do të përballet me një sërë problemesh jetike për vendin dhe detyrën e vazhdimit të reformave, për të vendosur nën kontroll borxhin kombëtar dhe rritjen ekonomike.

Këto zgjedhje të përgjithshme janë të parakohshme në Itali, pasi në dhjetor deputetët e bllokut të Berlusconit tërhoqën mbështetjen për qeverinë Monti, duke sjellë rrëzimin e saj.

Kryeministri Monti ka udhëhequr në drejtimin e tij një program shkurtimesh dhe reformash, me synimin e rikthimit të besimit tek ekonomia vendase dhe reduktimin e borxhit kombëtar.

Pothuajse të gjithë kandidatët pjesëmarrës në këto votime kanë pranuar nevojën e programeve shtrënguese, për të rishëndoshur financat kombëtare, por ish-kryeministri Berlusconi sfidon këtë logjikë, duke premtuar ulje taksash dhe nxitje të mëtejshme për biznesin, si e vetmja mënyrë për të nxjerrë vendin nga kriza ekonomike.

Top Channel