Ministria kineze e Mjedisit pranoi për herë të parë ekzistencën e të ashtuquajturve “fshatra të kancerit”, pas disa vitesh spekulimi mediatik mbi ndërlikimet e krijuara nga ndotja në disa zona të ndryshme të vendit.

Aktivistë të shoqërive civile ishin ata që detyran shtetin të pranonte këtë të vërtetë të sikletshme, duke matur përqindjen e prekshmërisë në zona specifike, krahasuar me normën kombëtare të prekjes nga tumoret.

Si rrjedhojë e industrializimit të shpejtë dhe në shumë raste, mungesës së kritereve për mbrojtjen e shëndetit dhe mjedisit në Kinë, ndotja në disa zona është bërë aq problematike, sa që ndikon në një rritje drastike të numrit të të prekurve nga sëmundjet kancerogjene, ato respiratore apo në deformime fizike tek të sapolindurit.

Përballë raportit të publikuar nga shoqëria civile, Ministria e Mjedisit pranoi në një dokument se “shumë toksina kimike kanë shkaktuar emergjenca të ndryshme mjedisore, të lidhura me ndotjen e ujit dhe ajrit”.

Në dokument pranohet gjithashtu se “shumë lëndë kimike të ndaluar në vendet e zhvilluara janë ende prezente në Kinë”.

Megjithatë, ministria refuzoi të komentonte shprehjen “fshtatra të kancerit”, duke e konsideruar si të “pasaktë” dhe një term “abuzues”.

Top Channel