“Doganierët, jo më me helikopterë”

22/02/2013 20:20

Që nga dhjetori i  vitit të kaluar, kur filloi të zbatohet marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit Kosovë-Serbi, helikopterët e EULEX-it po i  dërgojnë doganierët kosovarë në vendin e tyre të punës, në dy pikat kufitare në veri (Jarinjë dhe Bërnjak). 

Ministri i  Brendshëm, Bajram Rexhepi, paralajmëron se së shpejti ata do të shkojnë përmes rrugëve tokësore të veriut të Kosovës, ku momentalisht mungon liria e lëvizjes.

“Policia do ta bëjë transportin, natyrisht me një përkrahje edhe të EULEX-it dhe nëse ka nevojë në perimetrin e largët edhe të KFOR-it. Kjo në një mënyrë është pjesë e marrëveshjes që duhet të zbatohet, është obligim edhe i  strukturave shtetërore të Serbisë që t’i detyrojnë që të mos bëjnë pengesa të tilla”, tha ministri i  Brendshëm, Bajram Rexhepi.

Ministri Rexhepi, i  cili është përfolur në mediat e Prishtinës se shumë shpejt do të jetë pjesë e riformatimit të qeverisë, ka thënë se për këtë nuk është biseduar ende, dhe se është kompetencë e kryeministrit Hashim Thaçi.

“S’kam arsye t’i frikësohem kurrfarë riformatimi. Kryeministri e di kush është kush dhe sa punon secili. Unë jam shumë i  qetë në këtë drejtim. Anjëherë nuk kemi pasur arsye të bisedojmë. Të gjitha spekulimet i  kam dëgjuar në media”, deklaroi Rexhepi.

Ndërkohë, ministri nuk komentoi kërkesën e deputetit të “Vetëvendosje”-s, Rexhep Selimi, për të dhënë dorëheqje, me arsyetimin se edhe me tenderin e ri të pasaportave mund të ndodhë të përsëriten të njëjtat skandale që tashmë janë bërë objekt i  drejtësisë.

Por, duke iu përgjigjur interesimit të mediave rreth tenderit të ri për prodhimin e pasaportave, Rexhepi ka thënë se procesi është duke shkuar sipas ligjit, kurse shkrimet në media se specifikat janë përshtatur për një kompani, ai i  ka quajtur insinuata.

“Nuk ka hapësirë për diçka të tillë. Jam shumë i  bindur që ky proces pa zvarritje do të vazhdojë sa më shpejt. Qytetarët e Kosovës do të kenë furnizim të rregullt, me cilësi të lartë të sigurisë së dokumenteve dhe mund të them se kërkesa kryesore e Komisionit Europian edhe në takimimet që kishim për liberalizim janë që të prodhohen dokumente të cilësisë së lartë dhe të sigurisë maksimale”.

Këto deklarata, ministri Rexhepi i  bëri në një konferencë për media, ku sqaroi disa paqartësi që janë krijuar me sistemin e ri të gjendjes civile që ka filluar ta aplikojë Kosova.

Sipas zyrtarëve të MPB-së ka pasur probleme, por kjo ka ndodhur për shkak se personat që kanë punuar me sistemin e ri mund të mos jenë familjarizuar ende, dhe jo për shkak të sistemit të ri, i  cili është vendosur si kërkesë e Komisionit Europian si parakusht për liberalizim të vizave.

Top Channel