“Chavez vuan ende nga problemi respirator”

22/02/2013 04:15

Presidenti i Venezuelës, Hugo Chavez, ende vuan nga disa probleme respiratore, pas rikthimit të tij nga Kuba, ku iu nënshtrua një operacioni kundër kancerit dhe ku qëndroi një kohë të konsiderueshme për trajtim.

Ministri i Informacionit, Ernesto Villegas, tha se Chavez vazhdon të marrë mjekime në një spital ushtarak në Caracas.

Kjo është komunikata e parë zyrtare në lidhje me shëndetin e presidentit, që prej rikthimit të tij në Venezuelë, të hënën. Chavez u operua në Havana më 11 dhjetor të vitit të kaluar.

Ky ishte operacioni i katërt në një periudhë kohore prej 18 muajsh kundër kancerit, që iu diagnostikua fillimisht nga mesi i vitit 2011.

Thuhet se ai ka vuajtur nga një infeksion i rëndë respirator pas operacionit të fundit. “Pamjaftueshmëria për të marrë frymë, që iu shfaq në fazën post-operacionale vazhdon ende, teksa tendenca nuk ka qenë favorizuese, kështu që ai mbetet ende nën kujdesin mjekësor”, tha Villegas në një deklaratë televizive.

Presidenti Chavez, në këtë post prej 14 vitesh, u rizgjodh për një tjetër mandat 6-vjeçar në tetor të vitit 2012, por betimi i tij u shty për një afat të mëvonshëm, për shkak të sëmundjes së tij.

Mbeten ende dyshime, nëse shëndeti i tij do ta lejojë të rikthehet në aktivitete politike.

Top Channel