Prokuroria Themelore në Prishtinë, konkretisht Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur të premten aktakuzë kundër tre të pandehurve Shaban Kilaj, Xhavit Krasniqi dhe Burim Hoxha për veprën penale të “trafikimit të emigrantëve klandestinë”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit gjatë periudhës 2010-2011 kanë ushtruar këtë aktivitet të paligjshëm, të ndihmuar edhe nga zyrtarë kosovarë.

Nga hetimet është konstatuar se, i pandehuri Shaban Kilaj ka siguruar ftesa për udhëtime zyrtare në SHBA, bashkë me zyrtarë të lartë qeveritarë, në ftesat e të cilëve ishin të përfshirë edhe persona që nuk ishin pjesë e qeverisë.

Të pandehurit Xhavit Krasniqi dhe Burim Hoxha kanë dërguar në Ministrinë e Punëve të Jashtme kërkesa për nota verbale, duke i paraqitur këta persona si zyrtarë të qeverisë, përkatësisht si anëtarë të delegacioneve.

Pas lëshimit të notave verbale, shtetasi Shaban Kilaj ka arritur që të sigurojë viza zyrtare në Ambasadën e SHBA-ve në Shkup për gjithësej nëntë persona, të cilët më pas kanë emigruar në SHBA.

Ndërkohë, nën akuzë ka përfunduar edhe Januz Kastarti, ish-zëvendësministër i Tregtisë dhe Industrisë, për veprën penale të “shpërdorimi të detyrës zyrtare”.

Sipas aktakuzës, ish-zëvendësministri ka shpërdoruar pozitën e tij, pasi ka kërkuar nga asistenti i tij, i pandehuri Burim Hoxha, që ta proçedojë ftesën për udhëtim zyrtar në Shtetet e Bashkuara edhe pse e ka ditur se dy persona, të përfshirë në ftesë si anëtarë të delegacionit, nuk ishin fare zyrtarë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë që të pandehurve Shaban Kilaj dhe Xhavit Krasniqi t’u vazhdohet paraburgimi, si dhe të gjithë të pandehurit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë për kryerjen e veprave penale për të cilat ngarkohen.

Top Channel