Siri, auto-bombë në Damask, 30 viktima

21/02/2013 00:00

Një makinë-bombë ka shpërthyer në kryeqytetin sirian, Damask, duke shkaktuar dhjetëra të vdekur dhe duke bërë që të ngrihet tym i zi në horizont.

Mediat shtetërore siriane kanë fajësuar “terroristët” për këtë shpërthim të ndodhur në afërsi të selisë qendrore të partisë në pushtet, Baath.

Pamjet televizive tregojnë trupat e personave të vdekur, që sipas aktivistëve për të drejtat e njeriut janë 31.

Akti i rëndë i dhunës vjen teksa Rusia dhe Liga Arabe deklarojnë se duan të ndërmjetësojnë në mënyrë direkte bisedimet pozitë-opozitë. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov e cilësoi luftën si “një rrugë që nuk të shpie askund”.

Ndërkohë, Koalicioni Kombëtar Sirian, krahu i bashkuar opozitar, po zhvillon një samit dyditor në Egjipt për të diskutuar zgjidhjen e mundshme të situatës.

Rreth 70 mijë persona kanë vdekur që nga nisja e protestave kundër presidentit Bashar al Assad në mars të vitit 2011, sipas të dhënave të OKB-së.

Policia dhe dëshmitarët thanë se shpërthimi u shkaktua nga një makinë-bombë, që u hodh në erë në lagjen Mazra, pranë zyrave të Baath dhe ambasadës ruse.

Rrugët përreth vendit të ngjarjes raportohet se janë mbyllur për trafikun dhe zjarrfikësit me ekipet mjekësore kanë mbërritur atje.

Siri, mortaja në fushën e futbollit

Ndeshja do të fillonte dhe dy skuadrat po bëheshin gati. Shpresonin të
luanin, 90 minuta për të harruar se jashtë stadiumit, në vendin e tyre
po zhvillohet luftë.

Por dhuna mbërriti edhe aty, në stadiumin “Tishreen” të Damaskut, ku dy goditje mortaje kanë goditur një lojtar të ekipit Al Wathba, duke e vrarë atë.

Objektiv i autorëve të sulmit ka qenë selia e komandës kombëtare e partisë Baath, që ndodhet pranë stadiumit, në lagjen Baramkeh. Por mortajat kanë rënë në mes të fushës duke i marrë jetën 26-vjeçarit.

Ai është dërguar menjëherë në spital, ku dhe ka vdekur pak momente më vonë. Katër lojtarë të tjerë kanë mbetur të plagosur, një prej të cilëve ndodhet në gjendje kritike.

Skuadrat janë kthyer në hotel dhe disa lojtarë, të tronditur nga ngjarja kanë rënë në dëshpërim të thellë. Disa kanë mbajtur veshur uniformat sportive dhe njollosura me gjakun e shokut të tyre.

Ai në të kaluarën ka luajtur me ekipin e Alepos dhe ka fituar 6 kampionate. Tani lë jetim një djalë vetëm pak muajsh. Liga siriane është ndërprerë për një kohë të pacaktuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA