SHBA, senatori: Dronët kanë vrarë 4700 vetë

21/02/2013 04:15

Një senator republikan ka bërë të ditur se rreth 4700 persona, përfshi disa civilë, janë vrarë gjatë bombardimeve të kryera nën luftën sekrete të Amerikës, me anë të avionëve të telekomanduar.

Lajmi është publikuar në mediat amerikane gjatë së mërkurës. Numri i saktë, nga qindra raketa të lëshuara prej “dronëve” amerikanë kundër militantëve të dyshuar si pjesëtarë të Al-Qaeda-s, në Pakistan, Jemen e gjetkë, ka mbetur një mister, pasi zyrtarë amerikanë kanë refuzuar të diskutojnë publikisht detajet e kësaj fushate bombardimesh.

Megjithatë, senatori amerikan, Lindsey Graham, një mbështetës i palëkundur i përdorimit të “dronëve”, përmendi publikisht një numër që i tejkalon disa vlerësime paraprake të pavarura.

“Kemi vrarë 4700 vetë”, citohet të ketë thënë Graham nga Easley Patch, një faqe interneti që mbulon vendin e vogël të Easley-t, në Karolinën e Jugut. “Shpesh janë goditur njerëz të pafajshëm dhe unë e urrej këtë gjë, por ne jemi në luftë dhe kemi shfarosur disa anëtarë kryesorë të Al-Qaeda-s”, raportohet të ketë thënë Graham për Easley Rotary Club.

Pavarësisht kritikave nga disa ligjvënës dhe avokatët e drejtave të njeriut, të cilët kanë vënë në pikëpyetje privatësinë dhe ligjshmërinë e sulmeve me “drone”, Graham ka dalë në mbrojtje të presidentit Barack Obama, i cili mbështetet kështu te përdorimi i fuqisë ajrore “robotike”.

“Është një lloj arme, që nevojitet të përdoret”, tha Graham. “Është një armë taktike. Një drone është një pajisje ajrore pa ekuipazh, që tashmë mund të mbushet me armatime”.

Nuk është e qartë nëse Graham i është referuar vlerësimit të qeverisë amerikane mbi të vdekurit nga sulmet me avionë të telekomanduar. Zyra e tij nuk ka qenë e disponueshme për të komentuar më tej.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA