Rusia dhe Liga Arabe kanë bërë të ditur se duan të ndërmjetësojnë bisedimet e drejtpërdrejta mes qeverisë siriane dhe opozitës, me synimin për t’i dhënë fund luftës civile në këtë vend.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se dhuna është “një udhë pa krye”. Kjo lëvizje vjen pasi Koalicioni Kombëtar Sirian, në opozitë, pritet të nisë një takim 2-ditor në Egjipt, për të diskutuar kuadrin për një zgjidhje të mundshme.
Rreth 70 mijë persona kanë vdekur që prej kryengritjes ndaj presidentit Bashar al-Assad, që nisi në mars të 2011-s, ka bërë të ditur OKB-ja.
Edhe pse qeveria siriane dhe opozita do të diskutojnë mes tyre, ende duket një perspektivë e largët për arritjen e një marrëveshjeje.
Lavrov tha se Kremlini dhe Liga Arabe duan të vendosin kontakte direkte mes qeverisë dhe opozitës siriane.
Duke folur në Moskë, ku ai priti zyrtarë të Ligës dhe disa ministra të Jashtëm të vendeve arabe, ministri i Jashtëm rus tha se ulja në një tavolinë për negociime është e vetmja rrugë për t’i dhënë fund konfliktit, pa krijuar dëme të pariparueshme për Sirinë.
“Asnjë nga palët nuk i lejon vetes të mbështetet në një zgjidhje ushtarake të konfliktit, sepse kjo përbën një udhë pa krye, apo një rrugë drejt shkatërrimit reciprok të popullit”, tha ai.
Lavrov dhe sekretari i përgjithshëm i Ligës Arabe, Nabil Elaraby, thanë se prioriteti i tyre ishte krijimi i një qeverie tranzicioni, për të parë mundësitë e një zgjidhjeje përtej dhunës.
Asnjë kusht për negociatat nuk është përcaktuar deri më tani, tha ai. Gjithsesi, propozimi pati një pritje të ftohtë nga Koalicioni Kombëtar Sirian. “Nuk mund ta pranojmë”, tha Abdelbaset Sieda, një anëtar i lartë i grupit opozitar. “Assad dhe grupi i tij duhet të largohen fillimisht. Më pas, ne mund të diskutojmë me të tjerët në këtë regjim, të cilët nuk kanë marrë pjesë në vrasjen e popullit tonë”.
Top Channel