Portugali, konfiskohen 380 mijë euro false

21/02/2013 03:00

Policia portugeze ka bërë të ditur se kanë konfiskuar sasinë më të madhe në histori të kartmonedhave false të eurove, me një vlerë që shkon më shumë se 380 mijë euro.

1901 kartmonedhat e falsifikuara 200-euroshe, u konfiskuan në një operacion të kryer në qytetin verior të Oportos, ka njoftuar në një deklaratë policia.

Një 46-vjeçar i huaj është arrestuar, ka shtuar policia, por as identiteti dhe as kombësia e tij nuk janë bërë të ditura.

Kartmonedhat false ishin të “një cilësie të jashtëzakonshme”, sipas zyrtarëve. Ato mendohen të jenë të një modeli që qarkullon prej pothuajse një dekade, mostrat e të cilave janë kthyer kryesisht në Spanjë, Itali, Gjermani, Bullgari dhe Portugali.

Ky është grumbulli më i madh i gjetur ndonjëherë, njofton policia. Sipas korrespondentit të BBC-së në Lisbonë, ky është konfiskimi i dytë i eurove false në Oporto, gjatë këtij muaji.

Policia, së fundi, shkatërroi një rrjet të dyshuar të përbërë nga 5 shtetas portugezë, të akuzuar për falsifikim dhe qarkullimin e kartmonedhave 50 dhe 20 euroshe.

Ai operacion rezultoi në konfiskimin e kartmonedhave false me vlerë prej 30 mijë eurosh.

Policia portugeze tha se rritja e rëndësisë së euros, si një monedhë ndërkombëtare, e ka bërë atë një objektiv tërheqës për falsifikim nga organizatat kriminale në Bashkimin Europian dhe përtej tij.

Top Channel