OKB: Irani, tjetër hap drejt bombës bërthamore

21/02/2013 18:50

Irani ka instaluar centriga të avancuara të pasurimit të uraniumit në reaktorët e tij të Natanzit, deklaroi të enjten Agjensia Nukleare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (ANEA).

Një përfundim i tillë vjen në një moment të papërshtatshëm, pesë ditë përpara se Irani të ulet për bisedime me pesë vendet me të drejtë veto në Këshillin e Sigurimit, plus Gjermaninë, në përpjekje të gjetjes së një zgjidhje për krizën e shkaktuar nga ambiciet e tij bërthamore.

Nëse do të verifikohet, akuza e ANEA-s do të thotë se Teherani ka hedhur një hap të ri drejt ndërtimit të një arme bërthamore, pavarësisht paralajmërimeve dhe sanksioneve ndërkombëtare.

Qendra e Natanzit është vendosur në qendër të vëmendjes së OKB-së, pasi besohet se është vendi ku Irani ka instaluar teknologjinë e tij më të përparuar.

Autoritetet iraniane, kanë refuzuar së fundmi që të lejojnë inspektime të ndërkombëtarëve në këtë qendër.

Pas ndërprerjes së bisedimeve për programin bërthamor në mesin e 2012-s, Irani, një vend me 75 milionë banorë është gjunjëzuar nga sanksione të ashpra financiare, mes të cilave bllokadë për eksportet e naftës dhe bllokim të të gjithë aseteve dhe transaksioneve financiare të bizneseve e shtetit iranian.

Këto masa kanë sjellë një përkeqësim drastik të nivelit të jetesës në vend, ndikuar nga një inflacion galopant dhe reduktimi i subvencioneve shtetërore për transportin, strehimin dhe edukimin, duke bërë që presioni brenda Iranit mbi Presidentin Ahmadinejad të rritet.

Sipas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj perëndimorë, Irani është duke zhvilluar një program bërthamor me qëllime ushtarake, por Teherani e ka mohuar gjithmonë këtë pretendim, duke thënë se reaktorët kanë si qëllim vetëm sigurimin e energjisë.

Top Channel