
Vitin e kaluar kalendarik, Leo Messi shënoi plot 91 gola duke thyer rekordin e mbajtur nga Gerd Myler. Këtë vit, në 10 ndeshje të luajtura për 2013-ën, ka shënuar plot 13 gola, një mesatare e frikshme që do të kishte zili cdo sulmues.
Por mbrëmë “Pleshti” i pandalshëm u ndal. Në sfidën përballë kuqezinjve të Milanit, argjentinasi përvec disa driblimeve dhe pasimeve larg zonës, nuk mundi të cajë asnjëherë drejt qendrës, t’i afrohej portës, apo më e pakta, ta godiste atë.
Skuadrat italiane janë dobësia e Leos. Në 9 ndeshje të luajtura kundër tyre, katër herë fituesi i Topit të Artë ka shënuar vetëm tre gola dhe për të përkeqësuar këtë statistikë, që të tre golat janë goditur nga pika e bardhë e 11-metërshave.
Të dhënat flasin vetë. Messi ka vështirësi të përballet me skuadrat të vendosura taktikisht mirë në fushë, skuadra që heqin dorë nga estetika e futbollit për hir të rezultatit, sic ndodh shpesh në rastin e skuadrave italiane që shquhen për mbrojtjen e tyre.
E sot me të drejtë dikush pyet? Është Messi më i mirë se Maradona? I pari ka fituar katër herë Topin e Artë dhe plot trofe me Barcelonën, por ka dështuar tek Argjentina dhe përballjet me futbollin mbrojtës nuk janë në favor të tij.
Krejt e kundërta me Maradonën. Mundi të fitojë vetëm një kampionat me Napolin e tij, por “shqepi” me gola skuadrat e tjera në kampionatin italian, ndërsa me Argjentinën e tij fitoi edhe Kupën e Botës në vitin 1986. E pas kësaj, me të drejtë mund të thuhet; Messi është ende larg “maestros së tij”.
Top Channel