Kosova i ankohet FIFA-s

21/02/2013 20:15

Cështja e Kosovës do të rishqyrtohet në mbledhjen e ardhshme të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s. Kjo është garancia që presidenti i këtij organizmi, Sep Blatter, i ka dhënë presidentit të Federatës Kosovare të Futbollit, Fadil Vokrri, dhe ambasadorit të Kosovës në Zvicër, Naim Malaj, të cilët i dorëzuan letrën e kryeministrit Thaçi, i cili ka shprehur pakënaqësinë e tij për vendimin e mëparshëm të FIFA-s ku thuhet se duhet marrë pëlqimi i Serbisë që kombëtarja A e Kosovës të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare.

Pas takimit, ambasadori Malaj dhe presidenti i Federatës Kosovare të Futbollit, Vokrri, janë shprehur optimistë për të ardhmen e kombëtares A të Kosovës.

“Zoti Blatter tregoi mirëkuptim ndaj argumenteve tona dhe shprehu mbështetje. Shpresojmë që të gjendet një zgjidhje”, theksoi Malaj.

Ndërsa Fadil Vokrri u shpreh: “Blatter është përkrahës i madh i futbollit të Kosovës dhe Kosova do të jetë temë në mbledhjen e ardhshme të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s.”

Në dhjetor të vitit të kaluar Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s vendosi që kombëtaret e moshave dhe ajo e femrave mund të luajnë ndeshje miqësore me anëtarë të ndryshëm të FIFA-s, por këtë gjë e refuzoi për Kombëtaren A.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA