Itali, mbërrin “ariu siberian”

21/02/2013 00:00

Në Itali po mbërrin “ariu siberian”, siç njihet ndryshe moti i keq. Mbrojtja civile ka dhënë alarmin për të gjitha rajonet veri-lindore, për një valë të ftohti që vjen nga veriu i Evropës dhe që do të sjellë katër ditë borë të dendur.

Paralajmërimi ka ardhur kryesisht për ditën e enjte, kur reshjet e dëborës sipas autoriteteve do të bien në rajonet Emilia Romanja, Lombardi, Veneto dhe Friuli Venecia Xhulia.

Të gjitha qytetet e zonës veri-qendër kanë aktivizuar planin anti-dëborë. Në Milano nga ora 6 e mëngjesit të së enjtes janë parashikuar reshje që mund të lënë në rrugë e trotuare të paktën 5 centimetra borë.

Për t’i bërë ballë valës së re të motit të keq mijëra traktorë janë mobilizuar për të ndërhyrë për heqjen e dëborës nga rruga dhe për të shpërndarë kripë kundër rrezikut nga ngricat.

I ftohti dhe dëbora do të karakterizojnë gjithashtu fundjavën elektorale. Për këtë arsye partitë dhe sondazhistët po i mbajnë sytë nga parashikuesit e motit. Faktor ky që mund të ketë ndikim në rezultatet e votimit, edhe për faktin se në Itali elektorati është gjithnjë e më i moshuar.

60-vjeçarët janë rreth 15 milionë dhe përbëjnë 30 për qind të qytetarëve me të drejtë vote. Për rrjedhojë, shumë prej tyre mund të hasin vështirësi për të arritur në qendrën e votimit, nëse të dielën dhe të hënën në mëngjes kushtet e motit do të jenë të këqija.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA