
Një person i dyshuar për fiksim të ndeshjeve të futbollit është arrestuar në Itali pasi ka ardhur nga Singapori për t’u dorëzuar vullnetarisht tek autoritetet.
Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane, sipas të cilave personi në fjalë është identifikuar si Admir Suliç, një shtetas slloven i cili ka zbarkuar në aeroportin e Milanos.
Interpoli ka deklaruar se i dyshuari besohet të jetë i lidhur me një organizatë fiksimi ndeshjesh me bazë në Singapor. Hetuesit e agjencisë policore kanë kritikuar vazhdimisht Singaporin se ka lejuar persona të tillë për të jetuar lirshëm në këtë vend.
Një ditë më parë, kreu i Konfederatës Aziatike të Futbollit, Zhang Jilong deklaroi gjatë një takimi të këtij organizmi në Malajzi se fiksimet janë shndërruar në një “epidemi”, të cilat asnjë organizatë në botë nuk mund t’i luftojë e vetme.
Më parë gjatë shkurtit ishte UEFA ajo që publikoi një raport mbi ndeshjet e dyshuara si të fiksuara. Në atë raport figuronin edhe disa klube shqiptare, midis të cilave Tirana dhe Vllaznia, të dyshuara për fiksimin e ndeshjeve të Kupave të Europës. Hetimet mbi këtë raport janë në zhvillim.
Top Channel