Shënohet përvjetori i 24-t i grevës së minatorëve shqiptarë, të cilët me vendimin për të hyrë në grevë kundër masave agresive serbe në vitin 1989 lëkundën themelet e Jugosllavisë.

Të mbledhur në minierën e Stantergut në Mitrovicë, aty ku pikërisht në atë kohë nisi greva, minatorët mbajtën një minutë heshtje për kolegët e tyre të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Në këtë mënyrë nisi edhe manifestimi tradicional Java e Minatorëve.

Kryesindikalisti i punëtorëve të minierës së Trepçës Nezir Behrami kujtoi se vitet ’80 kanë qenë të rënda për shqiptarët e Kosovës sepse okupatori serb çdo ditë burgoste e rrihte shqiptarë, duke i privuar nga të gjitha të drejtat që i gëzonin në atë kohë.

Behrami kujtoi se greva e atëhershme dhe kërkesat e minatorëve gjetën përkrahjen nga e gjithë klasa punëtore, studentët dhe gjithë shqiptaria, ndërsa Trepça u bë qendër mediale botërore, nga ku bota filloi të kuptojë një të vërtetë tjetër.

“Pas përfundimit të grevës, ku minatorët me tradhti u nxorën nga miniera, Serbia dëshmoi tradhtinë e saj dhe menjëherë filloi hakmarrjen ndaj minatorëve duke burgosur mbi 1200 minatorë, të cilët u dënuan me nga 30 deri 60 ditë burg dhe me proçese të montuara politike, siç ishte procesi i 14 të burgosurve”, deklaroi Behrami.

Njëri nga të burgosurit ishte edhe ish-udhëheqësi politik i Kosovës, Azem Vllasi, i cili akuzohej nga garnitura politike në Beograd se po udhëhiqte grevën e minatorëve. Në nder të javës së minatorëve, gjatë ditës së mërkurë u mbajtën edhe aktivitete të tjera në Mitrovicë, Skënderaj, Kishnicë dhe vende të tjera të Kosovës.

Top Channel