Biznesi, përplasje Francë-SHBA

21/02/2013 00:00

Franca dhe Shtetet e Bashkuara janë përfshirë në një luftë verbale në lidhje me të bërit biznes, në një kohë kur të dyja vendet janë të përfshira nga kriza ekonomike.

Një ministër francez i është përgjigjur me inat pronarit të prodhuesit amerikan të gomave, “Titan”, që tha se do të ishte “budalla” nëse do të investonte në Francë.

Maurice Taylor e bëri deklaratën në një letër dërguar ministrit francez për Rimëkëmbjen Industriale, Arnaud Montebourg.

Ditën e enjte, ministri Montebourg replikoi se komentet “ekstreme” të zotit Taylor tregojnë “injorancën e tij për Francën”. Ai tha se në Francë ka 20 mijë firma të huaja, të cilat kanë të punësuar rreth 2 milionë persona.

Taylor, një ish-kandidat për nominimin presidencial nga republikanët në vitin 1996, iu përgjigj kërkesës së bërë kompanisë së tij “Titan” për të investuar në një fabrikë në veri të Francës.

“E kam vizituar atë fabrikë disa herë. Krahu francez i punës paguhet shumë vetëm për tre orë punë. Ata bëjnë një orë pushim për të ngrënë, bëjnë muhabet tre orë të tjera dhe pastaj punojnë 3 orë. Ua thash këtë në sy sindikatave franceze dhe ata u përgjigjën se kjo është metoda franceze”, tha Taylor.

Pseudonimi i tij është “thinjoshi”, për flokët gri dhe pa një formë. “Kujtoni se ne jemi kaq budallenj”, shprehej ai në letrën e tij. Ndërsa në përgjigjen e tij, ministri Montebourg thotë:

“Mund t’ju them se “Titan”, kompania që drejtoni ju, është 20 herë më e vogël se “Michelin”, kompania lider franceze me influencë ndërkombëtare, dhe ka 35 herë më pak të ardhura”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA