Integrimi euro-atlantik i Maqedonisë është i kërcënuar, paralajmëron Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fule, në letrat personale që i ka dërguar kryeministrit të Maqedonisë, Nikola Gruevski dhe liderit të opozitës, Branko Cërvenkovski.

”Në letrat drejtuar të dyve, Komisioneri shpreh shqetësimin e thellë për mungesën e progresit për t’i dhënë fund ngërçit politik në vend. Ai thekson se zgjidhja duhet të gjendet në Shkup dhe nxit dy liderët të vijojnë përpjekjet për të gjetur një zgjidhje për krizën aktuale, bazuar në dialog politik dhe në kompromis. Dhe ai i nxit ata të gjejnë shpejt një kompromis për të kthyer vendin në rrugën e integrimit euro-atlantik, e cila aktualisht është e kërcënuar”, deklaroi zëdhënësi Peter Stano.

Kriza politike në Maqedoni vijon që prej ngjarjeve të dhunshme të 24 dhjetorit në Kuvend.

Komisioni Europian shprehu sërish gadishmërinë për të vizituar Shkupin e për të ndihmuar në gjetjen një zgjidhjeje politike mes mazhorancës dhe opozitës, me kusht që vetë palët të tregojnë vullnet e gadishmëri për një gjë të tillë.

Top Channel