60 mln amerikanë të kërcënuar nga superstuhia

21/02/2013 15:40

Një stuhi e fuqishme dëbore pritet të godasë 20 shtete në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke nisur nga e premtja.

Në disa zona parashikohet që dëbora të arrijë në mbi 50-60 centimetra lartësi, duke rrezikuar të bllokojë shumë rrugë dhe komunitete.

20% e popullsisë amerikane, rreth 60 milionë banorë, kërcënohen nga kjo stuhi e fuqishme dhe autoritetet kanë këshilluar shtetasit potencialisht të rrezikuar që të përpiqen të kufizojnë sa më shumë lëvizjet e tyre, duke udhëtuar në këtë periudhë të vitit vetëm për arsye madhore.

Një e katërta e sipërfaqes së SHBA-së pritet të mbulohet nga dëbora, por shtetet që do të goditen më shumë janë Kansasi, Uiçita, Dakota, Arkansas dhe Nebraska.

Në Kansas, aeroporti ndërkombëtar i Misurit ka lajmëruar për anullimin e një pjese të fluturimeve të tij dhe vonesa vërehen në linjat që operojnë ende.

Sipas metereologëve, ndërsa stuhia do të sjellë mot të acartë në shtetet veriore, shoqëruar me rreshje të shumta dëbore, në Teksas dhe disa zona të tjera të jugut do të ketë rreshje të dendura shiu, të cilat rrezikojnë të shkaktojnë përmbytje.

”Bëj këtë detyrë prej dhjetë vitesh dhe nuk kam parë kurrë një stuhi të këtyre përmasave”, komentoi metereologia Kayla Avery, në televizionin kombëtar “CNN”, gjatë së enjtes.

Top Channel