Bisedimet dyditore mes kryeministrave të Kosovës dhe të Serbisë u mbyllën pa marrëveshje në Bruksel. Sipas burimeve të BE-së, megjithëse janë arritur disa elementë mbi një marrëveshje të mundshme për normalizimin e situatës në veri, palët do të vijojnë konsultimet në nivelet teknike, para se të takohen sërish në nivel kryeministrash.

“Them se edhe sot ka qenë një takim në frymë konstruktive të përkushtimit për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, në proçesin për normalizimin e gjendjes në veri të Kosovës. Për shpërbërjen e plotë të strukturave paralele të sigurisë sa më shpejt të jetë e mundur, për rend dhe ligj, që të funksionojë sistemi i drejtësisë në kuadër të legjislacionit kosovar dhe në të njëjtën kohë për domosdoshmërinë e organizimit të zgjedhjeve të lira edhe në katër komunat në veri, brenda këtij viti, sipas legjislacionit kosovar, me menaxhimin dhe organizimin e OSBE-së”, deklaroi kryeministri Hashim Thaçi.

Në një deklaratë të ndërmjetësueses Catherine Ashton theksohet se përparimi i shënuar në bisedimet dyditore ka qenë i kënaqshëm për kryeministrat Daçiç dhe Thaçi, gjë që u konfirmua dhe nga ky i fundit.

“Dua të theksoj se është një frymë e mirë për të lëvizur drejt zgjidhjes apo përmbylljes së të gjitha problemeve që janë grumbulluar që prej 13 vitesh në atë pjesë të Kosovës”, ka thënë Thaçi. Takimi i ardhshëm Thaçi-Daçiç, i gjashti në këtë nivel, pritet të zhvillohet më 4 mars në Bruksel.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel