Skandali i pasurisë, dorëhiqet aleati i Putin

20/02/2013 20:10

Një figurë kryesore e politikës ruse dhe partisë së presidentit Vladimir Putin dha dorëheqjen, pasi aktivistët opozitarë kërkuan shpjegime mbi një seri pronash private që duket se ai zotëron në SHBA.

Vladimir Pekhtin dha dorëheqjen edhe si deputet i Parlamentit Rus, ku kryesonte komisionin e etikës.

Kjo dorëheqje përbën një arritje të madhe për aktivistin opozitar Alexei Navalny, i cili publikoi dokumentat në fjalë në një faqe interneti.

Megjithatë, Pekhtin theksoi se i gjithë skandali rreth pasurisë së tij është një “keqkuptim” dhe se do të provojë se “është në anën e ligjit dhe transparencës”.

Zyrtari shtoi se dorëheqja është e përkohshme, përsa kohë të provohet përtej dyshimit që nuk është i përfshirë në asnjë situatë korruptive apo të konfliktit të interesit.

Pekhtin refuzoi fillimisht të pranonte pronësinë e dy apartamenteve në Florida, duke thënë se ato i përkisnin të birit. Megjithatë, Navalny publikoi dokumente të reja, ku firma e deputetit shfaqej mbi aktin e blerjes dhe atë të pronësisë.

Ndonëse ishte i detyruar nga ligji, Pekhtin nuk i kishte vendosur apartamentet midis pasurisë së deklaruar prej tij.

Top Channel