Shpërthim e flakë në zonën tregtare, 14 të plagosur

20/02/2013 03:20

Të paktën 7 persona raportohen të plagosur dhe 3 të zhdukur, pas një shpërthimi të dyshuar gazi, që shkaktoi flakë të mëdha, në një lagje tregtare në Kansas City, Missouri.

Televizioni lokal shfaqi flakë të shumta jashtë zonës së shitjeve me pakicë “Country Club Plaza”. Policia bëri të ditur se një makinë besohet të jetë përplasur me një depozitë gazi pranë një restoranti, pasditen e së martës.

Gjendja shëndetësore e të plagosurve nuk bëhet ende e ditur, por disa prej tyre “dukeshin në gjendje kritike”, njoftoi zëdhënësja e spitalit.

Mediat raportojnë për një total prej 14 pacientësh në 3 spitale të zonës, përfshi edhe atë “St Luke”.

Menaxheri i restorantit të shkatërruar nga flakët i tha policisë së 3 persona janë të zhdukur, por që është ende e paqartë nëse ata janë larguar më herët nga vendngjarja.

Zëdhënësja e policisë, Rhonda Flores tha se përplasja e makinës mund të ketë qenë aksidentale, teksa thirrja e parë për nevojën e 3 ambulancave u rrit shumë shpejt në 10 të tilla.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë zjarrëfikëset dhe ekipet e emergjencave, të cilët luftojnë ndaj flakëve, që duket se kanë përfshirë një bllok të tërë banesash.

Kryebashkiaku i Kansas City-t, Sly James, reagoi në Twitter se zjarri ishte pothuajse nën kontroll dhe zyrtarët po punonin për të shmangur një shpërthim të dytë.

“Mendova se diçka shpërtheu në shtëpinë time”, tha Peggy Zilm, që jeton vetëm 7 apartamente larg zjarrit, për mediat vendase.

Zona tregtare e krijuar në 1922 bazohet në arkitekturën spanjolle të Sevijas dhe përfshin dyqane me pakicë, restorante, apartamente dhe zyra.

Top Channel