Partia Demokratike Shqiptare ka reaguar ndaj deklaratës së liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, i cili një ditë më parë i quajti “të vegjël” oponentët e tij politikë kundrejt partisë që drejton.

Deputet i PDSH-së, Orhan Ibrahimi tha se Ali Ahmeti ndihet i madh ndaj shqiptarëve të diskriminuar, nënçmuar e ofenduar nga partia e tij, BDI.

“I madh kundrejt Harun Aliut, i madh kundrejt flamurit kombëtar shqiptar, pasi e zvogëloi për një të tretat me ligj. I madh kundrejt sakatosjes së gjuhës shqipe. I madh në tradhëti!”, deklaroi Ibrahimi. Sipas PDSH-së, Ali Ahmetin dhe partinë e tij BDI, i ka kapluar frika e humbjes.

“Ali Ahmetin me tajfën e tij nuk e shpëtojnë as tomovokat, bunkerët dhe llogoret, terma këto të përdorura nga ai në mesazhin për ‘fushatë të qetë’ drejtuar shtabeve të tij, por që kjo pjesë nuk u përcoll nga mediat. Apelojmë të jeni të qetë dhe mos shkaktoni probleme, sepse shumë shpejt do ta kuptoni kush janë të mëdhenjtë! Ata s’jeni ju. Të mëdhenjtë janë populli dhe Zoti!“, theksoi Ibrahimi.

Deputeti Orhan Ibrahimi tha më tej se PDSH do të vazhdojë betejën kundër “tradhëtisë dhe shitjes” së interesave të shqiptarëve.

Top Channel