Milani ka bërë mrekullinë, duke mposhtur me rezultatin e pastër 2-0, në “San Siro”, Barcelonën, e në të njëjtën kohë duke hedhur një hap të parë drejt kualifikimit, për në turin tjetër të Champions League.
Të organizuar mjaft mirë, duke shfrytëzuar edhe kundërsulmin, kuqezinjtë kanë mundur të thyejnë spanjollët, të udhëhequr nga një Messi, i bllokuar në çdo hap të tij, nga mbrojtësit e skuadrës italiane.
Dy golat e Milanit janë shënuar në pjesën e dytë të takimit. Më parë Boateng, në minutën e 57-të, ka zhbllokuar ndeshjen, ndërsa goli i dytë është shënuar në minutën e 81-të nga Muntari, pas një kombinimi perfekt Boateng-Niang-El Shaarawy, për të përfunduar te Muntari.
Ndërkohë, ndeshja tjetër e luajtur paralelisht, Galatasaray-Schalke 04, ka përfunduar në barazim 1-1. Në fillim turqit e Gallatës shënojnë me Illmaz, ndërsa në mbyllje të pjesës së parë është Xhons, që çon gjithçka në 1-1.
Tashmë gjithçka mbetet e hapur për kualifikimin në këtë çift, për ndeshjen e kthimit në “Gelsenkirshen”. Ndeshjet e kthimit të këtyre çifteve do të zhvillohen më 13 mars.
Top Channel