Alonso: Do të luftoj sërish për kampionatin

20/02/2013 08:00

Fernando Alonso u tregua optimist pasi provoi për herë të parë Ferrarin e ri në pistën e Montmelosë. Piloti spanjoll nuk ishte aq entuziast sa Massa, i cili e cilësoi njëvendëshen e re si të “një planeti tjetër”, por gjithsesi theksoi se ka përmirësime në krahasim me Ferrarin e vitit 2012.

“Përshtypjet e para janë shumë pozitive. Nuk pati surpriza të pakëndshme, jemi aty ku prisnim të ishim. Makina e re është një vazhdimësi e asaj të garës së fundit në Brazil”, deklaroi Alonso për gazetën ‘Marca’.

Piloti kryesor i Kokëkuqes nënvizoi se në Maranello i kanë të qarta pikat ku nevojitet përmirësim: “E dimë ku duhet të punojmë deri në garën e Australisë. Nëse vitin e kaluar u nisëm keq dhe luftuam deri në fund për kampionatin, këtë vit duhet të jetë më e lehtë për të qenë në garë për titullin.”

Alonso shpjegoi edhe ndikimin që do të kenë gomat në sezonin e ri të Formulës 1: “Në xhiron e parë kanë më shumë fërkim, por konsumohen më shpejt se vitet e kaluara. Kjo mund të çojë në më shumë pit-stop-e dhe të papritura gjatë garave.”

 

Top Channel