Bisedimet për krijimin e një qeverie të re në Tunizi kanë dështuar, bëri të ditur kryeministri Hamadi Jebali.
Plani i tij për të formuar një kabinet teknokratësh është refuzuar nga partia e tij Ennahda. Por, “një tjetër formë qeverisjeje” është ende si opsion i mundshëm, tha Jebali, i cili pritet të takohet me presidentin gjatë ditës së martë.
Vendi është futur në krizë politike, që prej vrasjes së politikanit opozitar Chokri Belaid, më 6 shkurt, që shkaktoi protesta masive. Kriza çoi në dorëheqje nga qeveria e koalicionit.
Jebali ka kërcënuar më parë se do të dorëhiqej, nëse partia e tij islamike do të bllokonte zgjidhjen e tij për krizën politike, e cila u shkaktua nga vrasja e Belaid.
Gjithsesi, kryeministri nuk komentoi nëse ka planifikuar të dorëhiqet, pas dështimit të arritjes së një marrëveshjeje gjatë së hënës.
Përkundrazi, ai tha se “grumbullimi i të gjithëve përreth një tavoline” ka shmangur në mënyrë të suksesshme Tunizinë “nga rënia në një situatë të panjohur”.
“E pashë qartësisht se iniciativa që prezantova unë, – që kishte të bënte me një qeveri të krijuar nga anëtarë që nuk i përkisnin partive politike, – dështoi të siguronte një konsensus”, tha ai. “Megjithatë, vura re progres gjatë diskutimeve politike në lidhje me mundësinë për të gjetur konsensus mbi një zgjidhje tjetër”.
Ai pritet të takohet me presidentin Moncef Marzouki të martën, për të diskutuar hapat e mëtejshëm.
Top Channel