Tahiri, tjetër ndëshkim nga Gjykata

19/02/2013 00:00

“Si kamzhikun e radhës nga gjykatat e Sali Berishës për t’i mbyllur
gojën opozitës”. Kështu e ka komentuar deputeti Saimir Tahiri vendimin e
Gjykatës së Faktit Tiranë, që ai t’i paguajë 700 mije lekë dëmshpërblim
Genc Rulit.

Ish-ministri i Energjetikës, gjatë një seance plenare në Parlament u akuzua nga Tahiri se kishte favorizuar kompaninë ACR që operonte në Bulqizë.

“Këto vendime nuk na bëjnë për një sekondë të tërhiqemi nga denoncimi i të vërtetës. Unë vetë përsonalisht, deputetët dhe kolegët e mi në PS dhe të gjithë ne që i jemi dedikuar për të zbardhur të vërtetën e skandaleve korruptive të Qeverisë të familjarëve të Kryeministrit sekserëve dhe ministrave nuk mund të tërhiqemi për asnjë sekondë, pavarisht kostos, qoftë kjo kosto me vendime gjykatash të tilla si këto të fundit”, tha Tahiri.

Gjatë hetimit të Prokurorisë zoti Ruli u gjet me shkelje thotë Tahiri për shtyrje të gjobës së kompanicë ACR, por Prokuroria nuk mori vendim për ta cuar në gjyq, me pretendimin se nuk ka dëm financiar.

“Kam një përgjigje të Ministrisë me fakte pse ka dëm financiar të nënshkruar nga zoti Ruli.Kompania ACR ende nuk ka shlyer 1,690,000 euro që janë gjoba. Kompania ACR nuk kryer asnjë investim, zero investim. Gjatë kësaj kohe kompania ka eksportuar mbi 800,000 ton mineral që do të thotë mbi 10,000,000 euro pasuri. Cfarë dëmi më shumë duhet për të dënuar zotin Ruli për këtë që ka bërë? Sot publiku ka dy modele. Modelin e qeveritarëve që vjedhin në kurriz të popullit me pasurinë kombëtare edhe me kosto njerëzish dhe modelin që denoncuesit e korrupsionit dënohen”, tha deputeti socialist.

Tahiri premton për ta vijuar betejën e tij denoncuese me Rulin në gjykatë.

“Për këtë arsye do të bëj një padi penale ndaj zotit Ruli përsëri për ta rihapur çështjen tani që jemi përpara një dëmi efektiv të pasurisë kombëtare dhe jetës së njerëzve dhe për ta detyruar Kryeministrin që të përgjigjet publikisht për koncesionin e Bulqizës. Nëse e kam thirrur në interpelancë 4 herë dhe nuk është përgjigjur 1 herë unë nuk do të rresht deri në momentin kur Kryeministri të përgjigjet”, u shpreh Tahiri.

Top Channel