Siri, evakuohen shtetasit rusë

19/02/2013 15:30

Dy avionë ushtarakë transporti mbërritën ditën e martë në Siri, për të nisur procesin e evakuimit të shtetasve nga vendi i përfshirë prej dy vitesh në një luftë të ashpër civile.

Informacioni u bë i ditur nga ministri rus i Emergjencave Kombëtare. Avionët udhëtuan në Siri të mbushur me ndihma humanitare.

Sipas agjensisë ruse “RIA-Novosti”, drejt Sirisë janë nisur edhe katër anije, të cilat do të kompletojnë procesin e evakuimit.

Vendimi i Moskës për të asistuar të gjithë shtetasit brenda Sirisë konsiderohet si një shenjë e qartë e përkeqësimit të situatës humanitare në vend.

Aktualisht, kryengritësit janë duke realizuar një ofensivë të gjerë mbi kryeqytetin Damask, qytetin më të madh të vendit, Alepon dhe disa qendra të tjera urbane.

Si rrjedhojë, ushtria po vendoset nën presion të shtuar nga luftimet, duke e pasur të vështirë të sigurojë ato lagje të pakta të sigurta, të vendosura relativisht larg qëndrave të luftimit.

Lajmi për evakuimin e shtetasve rusë vjen pasi është verifikuar pjesëmarrja e grupit militant libanez të Hezbollahut, në konfliktin civil.

Ndërkohë, gjatë të martës, luftimet vazhduan të ashpra në vend. Sipas burimeve të paverifikuara të kryengritësve, të paktën 70 persona mbetën të vrarë, nga bombardimi i Alepos me raketa të llojit “Scud”.

Top Channel