
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, u deklarua kundër shkurtimeve të buxhetit, duke paralajmëruar se ato do të rrisin papunësinë, gjatë një fjalimi të mbajtur në takimin me punonjësit e urgjencave kombëtare në Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti konsideroi paketën e shkurtimeve prej 85 miliardë dollarësh që po debaton Kongresi si të dëmshme dhe aspak efikase për përmbushjen e qëllimit, që është reduktimi i borxhit kombëtar.
Për Obamën, shkurtimet e shënjestruara në disa sektorë do të ishin më të efektshëm, duke mbështetur kështu një propozim të senatorëve demokratë të javës së shkuar.
”Shkurtimet e përgjithshme nuk janë të zgjuara dhe aq më pak të drejta. Ato do të dëmtojnë ekonominë. Ky nuk është një abstragim, pasi shumë njerëz do të humbin vendet e punës”, theksoi Obama.
Aktualisht, të dyja palët e politikës në SHBA po përballen ashpër mbi mënyrat më të efektshme për vendosjen nën kontroll të borxhit kombëtar.
Ndonëse një lëvizje jopopullore, shkurtimet e përgjithshme parapëlqehen nga republikanët, të cilët nuk duan të bëjnë një lëshim të ri, pasi pranuan kërkesën e demokratëve për rritje e tatimit për familjet që fitojnë më shumë se 450 mijë dollarë në vit.
Top Channel