Në ndeshjen e fundit të javës së 25-të të kampionatit italian, Lacio është dorëzuar në transfertë ndaj Sienës, duke mbetur në të njëjtën kuotë pikësh me Milanin, në vendin e 3-të të klasifikimit.
Në “Franchi” përfundon 3-0 për toskanët, të cilët zhbllokuan rezultatin pas vetëm 6 minutash, falë një goditjeje me kokë nga Emeghara. Goli i dytë u shënua nga Rosina (23’), i cili shfrytëzoi më së miri një krosim të Rubin.
Në pjesën e dytë, vendasit sigurojnë përfundimisht fitoren dhe 3 pikë të vyera për mbijetesë, sërish me Emeghara-n, i cili përfiton nga dalja e Marchetti-t dhe realizon golin e dytë personal.
Tension në dhomat e zhveshjes të Lacios, pas humbjes së rëndë me Sienën. Pavarësisht dyerve të mbyllura, nuk kanë shpëtuar pa u dëgjuar ulërimat dhe goditjet inatçore nga dhoma, ku ishin mbledhur për t’u ndërruar futbollistët.
Ka patur konfuzione dhe debate në lidhje me atë, që u duk si një zgjidhje çështjesh mes lojtarëve. Ka patur nga ata, që kanë akuzuar shokët e tjerë për mos impenjim, duke u faturuar atyre fajin për pikët e pakta të siguruara në javët e fundit.
Një situatë, e cila duket se i doli nga kontrolli edhe Petkovic, përpara se gjithçka të rikthehej në normalitet. Por, atmosfera e rënduar në “klanin” lacial, pas kësaj ndeshjeje, la të nënkuptohej se diçka kishte ndodhur.
Një episod, i cili ndoqi atë të pak minutave më parë, ku Konko reagoi kundër një tifozi prezent në tribunë. Futbollisti është mbajtur me forcë nga stafi bardhekaltër dhe nga Marchetti, duke u shtyrë për nga dalja e fushës.
Top Channel