Kriza bërthamore, Irani: Mungojnë propozimet

19/02/2013 15:20

Irani deklaroi se nuk ka asnjë propozim zyrtar për zgjidhjen e krizës së shkaktuar nga ambiciet e tij bërthamore.

Deklarata e Teheranit vjen një javë përpara një takimi të shumëpritur që do të realizohet në Kazakistan, midis zyrtarëve iranianë dhe përfaqësuesve të pesë vendeve me të drejtë veto në Këshillin e Sigurimit, plus Gjermania.

Në ditët e fundit, kanë qarkulluar disa zëra që janë interpretuar nga shtypi si platformat e mundshme që mund t’i propozohen Teheranit për të zgjidhur këtë situatë.

Megjithatë, ministri i Jashtëm i Iranit siguroi se vendit nuk i ka mbërritur asnjë propozim konkret në rrugë zyrtare.

”Ne nuk komentojmë zërat e shtypit, por platformat dhe propozimet e vërteta, që për momentin kanë munguar. Duhet pritur për të parë se cila do të jetë qasja e vendeve të tjera ndaj bisedimeve”, deklaroi ministri Salehi.

Një javë më parë, duke komentuar bisedimet e mundshme, ai theksoi se vendi i tij shpreson që bisedimet të jenë të frytshme e të sigurojnë gjetjen e një zgjidhje.

Pas ndërprerjes së bisedimeve për programin bërthamor në mesin e 2012-s, vendi me 75 milionë banorë është gjunjëzuar nga sanksione të ashpra financiare, mes të cilave bllokadë për eksportet e naftës dhe bllokim të të gjithë aseteve dhe transaksioneve financiare të bizneseve e shtetit iranian.

Këto masa kanë sjellë një përkeqësim drastik të nivelit të jetesës në vend, ndikuar nga një inflacion galopant dhe reduktimi i subvencioneve shtetërore për transportin, strehimin dhe edukimin, duke bërë që presioni brenda Iranit mbi Ahmadinejad të rritet.

Sipas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj perëndimorë, Irani është duke zhvilluar një program bërthamor me qëllime ushtarake, por Teherani e ka mohuar gjithmonë këtë pretendim, duke thënë se reaktorët kanë si qëllim vetëm sigurimin e energjisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA