Grupi Ndërkombëtar i Krizave u bënë thirrje dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, që të mos e lëshojnë mundësinë premtuese për të arritur marrëveshje për veriun e Kosovës dhe kështu të hyjnë fuqishëm në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

“Liderët e të dy shteteve duken më të gatshëm për kompromiset, por serbët e veriut të Kosovës po refuzojnë integrimin dhe po rritet dhuna e nivelit të ulët. Nacionalistët kosovarë janë të tensionuar dhe një shkëndijë mund të nxisë luftimet ndërmjet komuniteteve”, thuhet në raportin e transmetuar nga Radio Europa e Lirë.

Në raport i rekomandohet Beogradit dhe Prishtinës që të shfrytëzojnë këtë shans për t’u angazhuar në diskutimet thelbësore në transformimin e strukturave ekzistuese në veri dhe të ofrojnë një rajon vetë-qeverisës, që i përshtatet juridiksionit të Kosovës, të bazuar në aplikimin fleksibil të  planit strukturor të Ahtisarit.

Pavarësisht dallimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas GNK-së, zhvillimet e fundit kanë dhënë shpresë pasi rezultatet në fazat e hershme të bisedimeve kanë shkrirë rigjiditetin e dyanshëm.

“Serbia së fundi kapërceu pragun duke pranuar, të paktën në mënyrë implicite integritetin territorial dhe juridiksionin e Kosovës ndaj veriut, edhe pse e refuzon pavarësinë e saj. Të dy kryeqytetet duket se kanë përjashtuar përdorimin e dhunës për zgjidhjen e kontestit të tyre politik”, thuhet në raport.

Më tej vazhdohet se “Transformimi i strukturave veriore në trupa vet-qeverisës që përshtaten me juridiksionin e Kosovës do të hapte rrugë për t’i ofruar veriut një rregullim special si pjesë e zgjidhjes së përgjithshme. Shumë më tepër mund të arrihet duke e pranuar aplikimin fleksibël të planit Ahtsiaari sa i përket policisë, gjykatave dhe qeverisë rajonale”.

Grupi Ndërkombëtar i Krizave nënvizon se një nga parimet bazë duhet të jetë ajo e mosprekjes së kufijve të Kosovës dhe që veriu të qeveriset sido që të dojë sa i përket shqetësimeve të komunitetit, por duke mos e dëmtuar integritetin territorial të Kosovës.

Top Channel