Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski akuzoi liderin e opozitës maqedonase Branko Cervenkovskin se është duke punuar për Greqinë në dëm të Maqedonisë.

Sipas shefit të qeverisë në Shkup, bojkoti i zgjedhjeve lokale nga opozita, krijimi i krizës artificiale dhe përpjekja për nxitjen e incidenteve, janë veprime të Cervenkovskit që çojnë ujë në mullirin e Greqisë.

“Ai momentalisht është më popullor në Greqi se në Maqedoni. Duhet ta kemi të qartë se nëse marrim raport negativ nga Komisioni Europian dhe Bashkimi Europian, ajo do të jetë meritë personale e Branko Cervenkovskit. Ajo do të jetë rezultat i sjelljes së tij ndaj shtetit, dhe veprimi për agjenda të turpshme me të cilat merret në këtë periudhë”, deklaroi Gruevski.

Ndërkohë, opozita maqedonase e cila do të bojkotojë zgjedhjet lokale, ka paralajmëruar se nga e shtuna do të vazhdojë protestat në rrugë deri në realizimin e  kërkesës së saj, për shpalljen e zgjedhjeve të parakoshme parlamentare. Po ashtu, bëhet e ditur se deputetët maqedonas të opozitës do t’i kthejnë në Parlament mandatet e tyre, ditën e votimeve më 24 Mars.

Top Channel