Gjenerali Allen lë karrierën ushtarake

19/02/2013 00:00

Gjenerali i zëshëm amerikan, John Allen refuzoi të marrë postin e Komandantit Suprem të NATO-s në Europë dhe vendosi të tërhiqet nga karriera e tij ushtarake për arsye familjare.

Vendimin e Allen, aktualisht komandant i forcave të Aleancës së Atlantiku në Afganistan e komunikoi vetë presidenti amerikan, Barack Obama. Kreu i Shtëpisë së Bardhë sqaroi se kishte pranuar kërkesën e Allen për t’u tërhequr për shkaqe familjare.

“I thashë Gjeneralit Allet se ka vlerësimin tim të thellë dhe maksimal për punën e jashtëzakonshme në shërbim në këto 19 muaj në Afganistan, ashtu si edhe gjithë vitet e tij si pjesë e marinsave të Shteteve të Bashkuara”, tha Obama.

Allen është komandant në largim i trupave ndërkombëtare në Afganistan. Në ditët e para të këtij viti ai u shpall i pafajshëm nga akuzat për sjellje jo të hijshme. Këto akuza u ngritën kundër tij pas skandalit me në qendër Gjeneralin David Petraeus. Ky i fundit dha dorëheqjen nga Drejtori i Përgjithshëm i CIA-s.

Top Channel