Brazili ka blerë dy dronë (aeroplanë të telekomanduar nga toka) izraelianë, për të monitoruar kufinjtë e saj dhe për të shmangur incidente gjatë ngjarjeve të ardhshme madhore, që parashikohen në vendin amerikano-jugor.
Bëhet fjalë për Botërorin 2014 në futboll dhe Lojërat Olimpike të dy viteve më vonë, 2016. Dy dronët janë të modelit “Hermes 450”, të krijuar nga një kompani izraelite, “Elbit”, dhe janë të parët që blihen nga aeronautika braziliane.
Vetëm pak ditë më parë, presidenti amerikan Barack Obama u paraqiti komisioneve të shërbimeve sekrete të Kongresit rregullat e administratës për përdorimin e avionëve të telekomanduar.
Bëhej fjalë për parime ligjore dhe konfidenciale të Departamentit të Drejtësisë, që autorizojnë përdorimin e dronëve për të vrarë shtetasit amerikanë jashtë vendit, që konsiderohen terroristë.
Një lëvizje që erdhi vetëm pak, pasi një raport zbuloi se CIA operonte në një bazë dronësh nga një territor i panjohur më parë në Arabinë Saudite.
Baza u krijua me qëllim që të shënjestronte anëtarët e Al-Kaedës në Jemen, fqinjin jugor të Arabisë. Një dron vrau në shtator 2011 Anwar al-Awlakin, një myfti i lindur në SHBA, që kishte pasur një rol kyç në drejtimin e segmentit të Al-Kaedës në Jemen.
Top Channel