Janë plot 7 mijë km distancë dhe pothuajse nuk ndihen fare. Sëmundja e keqe, me të cilën po lufton tekniku i Barcelonës, Tito Vilanova, në New York, nuk e ka mbajtur atë larg djemve “të tij”.
Në një klub, që është si një familje, Vilanova është kthyer në një trajner “hi-tech”, duke drejtuar skuadrën nëpërmjet kompjuterit, e veçanërisht nëpërmjet programeve Skype dhe Whatsapp.
Asgjë e paligjshme, madje ka qenë vet klubi, që ka zbuluar gjithçka, pas ndeshjes së fituar me Granadën. Distanca nuk përbën më ndonjë problem në 2013-n, e faktikisht nuk është.
Një njeri, mbi të gjitha, para se të jetë një trajner, në gjendje për të luftuar me sukses ndaj një sëmundjeje të keqe, e cila e ka detyruar sërish të largohet nga “shtëpia” e tij, Ciutat Esportiva, që është edhe bota e tij.
E megjithatë, punën nuk e ka braktisur, ndërkohë, edhe klubi katalanas nuk e ka ndjerë mungesën e tij, pasi nga ky moment vështirësie, palët kanë dalë më të përforcuara. Nuk është rastësi që Barcelona e ëndrrave titullohet edhe “mes que un club” (me shumë se një klub).
Faktikisht, “Vilanova nuk ka parë kurrë më parë kaq shumë ndeshje sa në këtë periudhë”, shpjegon drejtori sportiv i Barças, Zubizarreta. I azhornuar përpara të gjithëve, ai kërkon të luftojë ndaj tumorit dhe ta fitojë betejën me të, pikërisht duke vazhduar detyrën e tij, si trajner, pavarësisht shqetësimeve të radioterapisë.
Pas kurave të çdo mëngjesi, Vilanova kthehet në një trajner “hi-tech”, pasi Ciutat Esportiva është kthyer në një “Big Brother” futbollistik. Disa telekamera mbulojnë çdo aspekt të stërvitjes së katalanasve dhe videot e regjistruara i jepen Vilanovas. Nga këtu, nëpërmjet Skype, organizohet mbledhja e teknikëve dhe jepen indiciet tekniko-taktike drejtpërdrejtë te skuadra.
Po gjatë ndeshjeve? Pas sfidës së fituar me Granadën, është zbuluar se si Tito udhëheq skuadrën nga 7 mijë km larg. Nëpërmjet Whatsapp në celularin e Jordi Roura-s. Jep udhëzime në lidhje me formacionin dhe zëvendësimet, por edhe këshilla të tjera, si të ishte në pankinë.
Top Channel