Numri i civilëve të vrarë në Afganistan ka rënë për herë të parë në gjashtë vite, thotë një raport i Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Misioni i Asistencës në Afganistan, UNAMA, dokumenton 2754 civilë të vrarë në vitin 2012-ën, 12 për qind më pak, dhe 4805 të plagosur, me një rritje të lehtë.
Reduktimi i atribuohet uljes së luftimeve në terren dhe rënies së sulmeve vetëvrasëse dhe atyre ajrore. Por raporti shpreh nga ana tjetër shqetësimin për rishfaqjen e grupeve të armatosura, kryesisht në zonën veriore të Afganistanit.
Gjithashtu, civilët janë përballur me kërcënime në rritje, frikësime dhe ndërhyrje në të drejtat e tyre për arsimim, shëndetësi, drejtësi dhe liri lëvizjeje nga militantët.
Jan Kubis, përfaqësuesi i posaçëm i OKB-së në Afganistan, deklaroi se rënia e numrit të vdekjeve në vitin 2012 është shumë pozitive, por gjithësesi numri i viktimave në këtë konflikt mbetet i papranueshëm.
“Sulmet e bëra me bomba artizanale kundër elementëve qeveritarë, pa marrë parasysh jetën e civilëve, mbeten shkaku kryesor i vdekjeve në Afganistan”, ka thënë Kubis.
Sipas tij, goditja e civilëve që mblidhen në mbështetje të qeverisë është një tjetër shkak për vdekjet, si dhe një shkelje e rëndë e ligjit ndërkombëtar.
Në total, 81 për qind e viktimave të regjistruara në vitin 2012 i janë atribuar militantëve, ndërsa 8 për qind kanë ardhur si pasojë e operacioneve të forcave pro-qeveritare.
Top Channel