14 Shkurti i trishtë në Ersekë

19/02/2013 17:25

14 shkurti ishte një ditë tragjike për një çift në qytetin e Ersekës. Kur të gjithë festonin Shën Valentinin, qetësia u prish nga një krim pasionant, duke marrë jetën e dy njerëzve.

Ai ishte një 50-vjeçar, babai i dy fëmijëve, së fundmi i bërë gjysh. Ajo një 32-vjeçare e divorcuar që jetonte me nënën dhe njërin nga fëmijët. Për katër vite raporti funksiononte edhe pse me konfklikte të herë pas hershme, por së fundmi gjërat midis Fatosit dhe Antonetës ishin ftohur shumë, pasi 32-vjeçarja kishte vendosur të braktiste përfundimisht ish-zjarrfikësin e qytetit.

Fatosi nuk kishte gjetur kurrë “paqe” për fundin e lidhjes, gjë që kishte degraduar në dhunë fizike dhe psikologjike për nënën e dy fëmijëve të mitur, duke e detyruar këtë të fundit që të ribashkohej dhe të vijonte lidhjen. E reja kishte bërë disa herë kallëzim në polici, por detyrohej nga i dashuri të tërhiqte deklarimin pasi e bënte.

Olti, nipi i Antonetës, tregon: “Nuk janë marrë masat nga shteti për të parandaluar atë njeri duke e ditur që kishin 1 vit e gjysmë ankesat e saj ndaj këtij personi.”
Komisariati i Ersekës, pas denoncimit së nënës së re, kishte nisur hetimet për të sqaruar rrethanat duke marrë në pyetje të denoncuarin Fatos Kapllani, i cili kishte mohuar zërat për një dhunim të 32-vjeçares. Pas disa muajsh hetimi, çështja ishte pushuar pas tërheqjes së kallëzimit.

Fatosi ka shfrytëzuar momentin për tu afruar sërish pranë 32-vjeçares, duke i premtuar se do të sillej mirë, por mëngjesi i 14 shkrutit i ka dhënë fund tragjikisht lidhjes jashtëmartesore.
Olti shton: “Ka pasur edhe gjyq me këtë person, por askush nuk i ka dalë përkrah Antonetës. Meraku jonë tani është fëmija që ka lënë pas.”
Të shokuar dhe pa fjalë janë shokët e 50-vjeçarit që aktualisht ushtronte profesionin e taksistit në qendrën e qytetit të Ersekës. Nëse do jua thoje më përpara që gjërat mund të arrinin në këtë pikë, askush nga kolegët nuk do e besonte. Ata dënojnë aktin e rëndë dhe janë të habitur nga kjo histori: “Është një akt i ashpër. Nuk e mendoja kurrë që mund të bënte diçka të tillë.”
 
Duket se gjithçka ishte e menduar kohë më parë nga autori. Ai kishte bërë madje dhe një letër ku thoshte se nëse ata nuk do ishin më bashkë, do e vriste të dashurën. Letra u gjend në vendin e ngjarjes, teksa gruaja nuk mundi ta lexonte. Historia e tyre u mbyll përfundimisht ditën e premte, kur familjarët përcollën në heshtje të plotë trupat për në banesën e fundit.

Dashuri dhe urrejtje

Ngjarja në Ersekë nuk është e vetmja e cilësuar si “krim pasioni”. Lista e jetëve të humbura nga konfliktet midis bashkëshortëve, të dashurve apo familjarëve të cilët kalojnë fillimisht nga një raport normal në një raport të dhunshëm nuk është e shkurtër.

Po çfarë po ndodh me shoqërinë tonë? A po humbet komunikimi mes njerëzve për të zgjidhur mosmarrëveshjet? Studime të shumta tregojnë faktin se dhuna sa vjen e po rritet në marrëdhëniet bashkëshortore. Ditën e shtunë, qyteti i Kuçovës u trondit kur dhëndrri vrau me armë vjehrrin dhe vjehrrën, ndërsa plagosi rëndë bashkëshorten e tij. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit, ndërkohë që autori i krimit, Riza Lutaj, nga Levani i Fierit, u largua menjëherë nga vendngjarja.

Gjithçka nisi pas një debati të ashpër familjar. Bashkëshortja Engjëllushe Latifi kishte kërkuar divorcin nga Rizai dhe prej ditësh ishte larguar nga vatra bashkëshortore për të jetuar me prindërit në  Kuçovë, por ai pas largimit kishte mundur të gjente banesën duke shkaktuar një tragjedi të vërtetë.

Një tjetër ngjarje e bujshme është ajo ku 18-vjeçarja Nazime Visha, vrau Fiqiri Muçën, i cili kishte abuzuar seksualisht me të për një kohë të gjatë. Prokuroria arriti të provonte se mes viktimës dhe Nazimes kishte  patur për një kohë relativisht të gjatë marrëdhënie seksuale dhe se minorenia ishte abuzuar.

Aishe Vata është një tjetër viktimë pasioni. Pas hetimeve dhe ekspertizave mjeko-ligjore prokuroria arriti në përfundimin se Shaban Norja, mesnatën e 11 tetorit 2012, vrau  ish të dashurën e tij fillimisht me armë zjarri pistoletë dhe më pas ka bërë gjymtimin e saj me mjete prerëse. Cifti kishte kohë që ishte në një marrëdhënie të fshehtë që rezultoi fatale për 18-vjeçaren.

Qyteti i Bajram Currit është bërë gjithashtu dëshmitar i një ngjarjeje të rëndë. 31-vjeçarja Manjola Dollapaj disa vite më parë vrau me armë zjarri bashkëshortin e saj Eduart Dollapaj dhe Kreshnik Gjuriqin, me të cilin u dyshua se kishte lidhje intime jashtëmartesore. Vrasja u shënua në banesën e çiftit Dollapaj, ndërsa çështja u arkivua si një krim i pastër pasioni.

Xhelozia ka qenë shkaku për një tjetër ngjarje në fshatin Xibër të Elbasanit. Një 62-vjeçare në gjendje të rëndë psikologjike vrau këtë të hënë burrin e saj 67-vjeçar. Cifti kishte 6 fëmijë dhe ishin gjyshër të disa nipave dhe mbesave. Rastet të bëjnë të mendosh pse po shtohen marrëdhëniet e dhunshme.

Top Channel